Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka ndarë së fundmi disa momente personale dhe ndjenja nga vizitat e familjes në Hagë, ku po mbahet babai i tij.
Gjatë një bisede për “Grida Duma Podcast”, ai tregoi se familja viziton Thaçin çdo muaj.
“Diskutojmë për tema të ndryshme, për aktivitetet e tij ditore, për librat që lexon. Momenti më i vështirë është kur mbaron takimi dhe ne duhet ta lëmë brenda. Dhimbje tepër e madhe”, rrëfeu Endriti.
Ai shtoi se ndjehet me fat dhe krenar që është djali i Hashim Thaçit.
“Jam me fat dhe shumë i lumtur që jam djali i tij, djali i një çlirimtari që fitoi luftën ndaj Serbisë, i një arkitekti që bashkë me shokët e tij bëri pavarësinë e Kosovës. Është përgjegjësi e madhe, por krenaria dhe lumturia janë në qiell”, u shpreh tutje.
Përballë përgjegjësive familjare, ai foli edhe për momentin kur iu desh të merrte përsipër rolin e kryefamiljarit në moshë të re.
Intervista nuk la pa prekur edhe çështjet e zemrës dhe dashurisë.
Kur Grida Duma e pyeti: “Po kur ti bie në dashuri, me kë flet?”, Endriti u përgjigj me sinqeritet: “Ende s’kam rënë në dashuri, po kur do bij, do të flas me nënën”.
Kështu, ai tregoi një kombinim të ndjeshmërisë dhe lidhjes së fortë familjare që e karakterizon, edhe në momentet më të vështira të jetës.