Ish-drejtori për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste” në politikën e tij ndaj Serbisë dhe veriut të vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kupchan tha se një qasje më pragmatike do ta ndihmonte Kosovën të avancojë interesat e saj dhe të shmangë perceptimin se Prishtina është pala që po bllokon procesin e dialogut me Serbinë.
Ai theksoi se Kosova ka marrë kritika të ashpra dhe sanksione nga BE-ja dhe Uashingtoni, pikërisht për shkak të këtij qasjeje konfrontuese.
Sipas Kupchanit, për të dalë nga ky ngërç, do të nevojitet presion serioz mbi të dyja palët nga SHBA-ja dhe BE-ja, që procesi i dialogut të rifillojë.
Sa i përket pretendimeve të Donald Trumpit se ka ndalur një luftë mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij, Kupchan i cilësoi ato si “të pasakta”, duke theksuar se “Kosova dhe Serbia nuk kanë qenë në luftë që nga viti 1999”.
Ai pranoi se administrata Trump arriti disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe njohjen e Kosovës nga Izraeli, por jo diçka që mund të konsiderohet ndalim i një lufte.
Kupchan shtoi se, nëse Trump fiton mandatin e dytë presidencial, nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet te çështja Kosovë-Serbi, për të shënuar ndonjë sukses në politikën e jashtme.
Megjithatë, ai vlerëson se aktualisht situata në Prishtinë dhe Beograd është shumë e paqëndrueshme për të pritur ndonjë marrëveshje të rëndësishme.
Në lidhje me kërkesat e Kurtit ndaj Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe nënshkrimin formal të marrëveshjes, Kupchan tha se dialogu duhet të ecë me hapa gradualë, ndërsa njohja e ndërsjellë do të jetë faza përfundimtare e procesit.
Kupchan theksoi se pavarësisht ndryshimeve të mundshme në politikën e jashtme amerikane, Kosova mund të vazhdojë të mbështetet në përkrahjen e SHBA-së.
“Në Shtetet e Bashkuara ekziston një mirëbesim i madh ndaj Kosovës, që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999”, tha ai.
Në fund, Kupchan u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë që të tejkalojnë bllokadën institucionale dhe të formojnë një qeveri funksionale.
Sipas tij, demokracia kërkon kompromis, dhe kjo është jetike për të ardhmen e Kosovës.