Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsioni dhe Krimit ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm për masakrën e Kuçovës, Fran Marashi, i cili kundërshtoi regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë.
Në dokumentin e siguruar nga burimet thuhet se më 30 janar 2026, Marashi iu drejtua gjykatës me një kërkesë për kundërshtimin e urdhrit nr. 620, datë 13.12.2024, të Ministrit të Drejtësisë, “Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë”.
Por në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, vendosi papranueshmërinë e kërkesës.
Kujtojmë se Fran Marashi akuzohet për ngjarjen e ndodhur më 17 qershor të 1997, ku mbetën të vrarë 4 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë.
Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë po ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur papritmas janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Në atë moment, autoblinda e policisë uli kapakët dhe u nis në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.

