Kundër marrëveshjes me Italinë, protestuesit duan të ngrenë çadër, policia e Lezhës i ndalon

Një grup të rinjsh aktivistë kanë protestuar në Lezhë kundër marrëveshjes së qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për refugjatët.

Nga raportimet në medie dhe nga vetë protestuesit bëhet me dije se policia ka penguar aktivistët për të vendosur çadrën “kamp” përpara Bashkisë Lezhë.

Kjo ka sjellë dhe përplasje mes aktivistëve dhe policisë, pasi këta të fundit e quajnë të paligjshëm diçka të tillë.

Porti i Shëngjinit do të shërbejë si qendër pritjeje për refugjatët që mbërrijnë në Itali nga vendet e treta. Marrëveshja u nënshkrua në Romë mes dy kryeministrave, Giorgia Melonit dhe kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama.

Sipas protokollit të bashkëpunimit, kjo qendër pritet të jetë gati pranverën e vitit që vjen dhe do të trajtojë çdo muaj kërkesat për azil të rreth 3 mijë refugjatëve që mbërrijnë në Lampeduza nga Afrika dhe Lindja e Mesme dhe kanë mbipopulluar ishullin e vogël italian.

I gjithë procesi do të mbështetet financiarisht nga Italia, e cila do të bëjë njëherazi edhe seleksionimin e azilantëve.


Shtuar 26.11.2023 20:15