Finalizohet operacioni policor “Kultivimi” nga Komisariati i Policisë Kuçovë në bashkëpunim me DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë Berat, ku është zbardhur një rast i kultivimit të qindra bimëve narkotike gjatë vitit 2021. Gjatë hetimeve disa vjeçare, është arrestuar shtetasi Sh. H., 28 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim B. Ll., 23 vjeç dhe E. M., 34 vjeç, të dyshuar si autorë të kultivimit të kanabisit në fshatin Mendrak të Kuçovës.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në disa banesa, ku janë proceduar penalisht 4 shtetas për veprime të ndryshme penale, duke përfshirë prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit, si dhe pastrimin e të ardhurave nga veprimtaria kriminale. Gjatë këtyre kontrollove, u sekuestruan 16.980 paund britanik, të dyshuar se lidhen me veprimtarinë e kundërligjshme të autorëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia vijon hetimet dhe veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për ndalimin e personave të tjerë të përfshirë.