Kultivim lëndësh narkotike me llamba në Malësinë e Madhe/ Arrestohen dy persona. Të proceduar disa punonjës të OSHEE (EMRAT)

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Neonët” –vihen në pranga shtetasit Lazer Pepaj, Sander Pepaj dhe u shpall në kërkim shtetasi Kristjan Pepaj, gjithashtu u ndaluan shtetasit Gëzim Hoxha, Lodovik Vulaj, Xhuljano Çeraj dhe Adil Selmanaj.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët”.

Zbulohen 3 ambiente të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis me anë të llambave.

Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe shpallet në kërkim një 33-vjeçar.

Ndalohen gjithashtu 4 punonjës të OSHEE-së dhe procedohen penalisht edhe 2 punonjës të tjerë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Sekuestrohen 1110 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 1 kg e 800 gramë e kësaj lënde në formë boçe, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.

Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së DVP Shkodër dhe me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.

Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Neonët”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 48 vjeç, L. P., 69 vjeç (kushërinj), si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lulashpepaj.

Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. H., 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; L. V., 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xh. Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe A. S., 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.

Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit K. P.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Juridiksion të Përgjithshëm, Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.


Shtuar 2.11.2025 14:52