Të tjera detaje kanë dalë pas zhdukjes së të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinajt.
Prokuroria e Laçit, që po ndjek hetimin e zhdukjes misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj, ka konfirmuar gjatë verifikimeve të saj, vetëm një komunikim të thatë, që Martinaj ka kryer me xhaxhain e tij, përmes aplikacionit “Telegram”.
Mesazhi është dërguar pasditen e 9 Gushtit, nga Martinaj në orën 19:21, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen: “…Kujdes, se mund të ketë kontrolle…”.
Ky mesazh pas 3 minuta është parë nga gruaja e Rakipit, Lavdie Martinaj, e cila është dhe nëna e Brilantit të ekzekutuar në 17 korrik 2022, në masakrën e Fushë-Krujës.
Mësohet se Lavdie Martinaj në momentin që ka parë mesazhin e mbërritur nga Ervisi, në telefonin e burrit të saj, në orën 19:24 të datës 9 Gusht, ka shkruar: “…A je mirë? Nga kush nga policia apo nga…….”.
Pas këtyre fjalëve të thata, telefoni i Ervis Martinaj, nuk ka pasur asnjë sinjal dhe nuk është dhënë asnjë përgjigje. I vënë në dijeni nga gruaja, për këtë situatë jo normale, Rakip Martinaj, dhe të afërmit e tjerë kanë telefonuar “mbretin” e lojërave të fatit, por sërish askush nuk përgjigjej përtej telefonit.
Kjo solli shqetësim të mëtejshëm brenda familjes, duke u impenjuar jo vetëm me burimet njerëzore të tyre, por duke kërkuar dhe ndihmën e organeve shtetërore, për të kryer hetime me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së Ervis Martinaj.
Prej 26 ditësh zhdukja e Martinaj, vijon të mbetet ende mister, duke ngritur dyshime të forta, përmes një ekzekutimi të mundshëm apo për një skenar tërheqje nga aktiviteti i zakonshëm.
Prokuroria dhe vetë familjarët, që po e ndjekin më shumë ankth situatën, kanë përjashtuar në mënyrë kategorike, se në adresë të tyre, Ervisi ka lënë porosi me SMS, për ushqimin e luanit “Simba”, të cilin familja e mban në kompleksin “Arbëria”.
Sipas babait të biznesmenit Ervis Martinaj, 70-vjeçarit Mustafa Martinaj, në kompleksin që familja administron, nuk jeton vetëm Luani, por edhe qeni dhe dy Arusha.
Babai i Ervis Martinaj tregon se nuk ka shpresa për të gjetur të birin gjallë. Por njëherësh ai shprehet, se nuk është hapur asnjë mort në banesën e tij, për Ervis Martinaj.
“…ne jemi në një situatë jo të mirë, ndodhemi në momente zie. Shtëpia ime është në mort dhe ka hapur dyert për ngushëllim, pasi unë kam humbur nipin tim Brilantin. Në këtë shtëpi, nuk ka asnjë mort të hapur për djalin, Ervisin, megjithëse shpresat e mia për gjetjen e tij gjallë, tashmë janë shuar plotësisht…” – tregon Mustafai.
Sipas të moshuarit, njerëzit që e kërkonin dhe kanë financuar vrasjen e Ervis Martinaj, janë ish-shokët e tij më të afërt, që ai i ndihmoi dhe i pasuroi me para dhe tashmë të gjithë bashkë ju kthyen kundra.
“…nga Dokle, Reçët, Dukat e grupet në Tiranë dhe grupi i Vlorës, kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme vrasjen tij. Dhe gjatë kësaj kohe, ja vranë të gjithë shokët…”, pohon Mustafa Martinaj.
I moshuari, shton se në këtë sulm ndaj Ervis Martinaj dhe familjes së tij, u futën dhe instrumenta shtetërorë të qeverisjes Rama dhe oligarkë të njohur, që ndërtojnë vila në tokat e Dhërmiut.
Toka këto që familja Martinaj, sipas 70-vjeçarit i ka të trashëguara nga Alqiviadh dhe Eftalia Nina, por tashmë janë zaptuar nga oligarkët e lidhur me qeverinë.
Nga ana tjetër për policinë dhe prokurorinë e Shtetit, Martinaj është një figurë e rëndësishme e biznesit të lojërave të fatit, hoteleve, pronave dhe krimit në Shqipëri.
Hetimet kanë provuar se Martinaj, u zhduk pa asnjë gjurmë në Zonën e Shijakut. Mbrëmjen e 9 gushtit, ai është shfaqur në filmimin e një kamera sigurie në zonën, prapa një qendre tregtare, teksa hipën në sediljen e parë të një makine tip “Audi A8”.
Makina largohet duke hyrë në rrugicën e pallatit të sportit “Asllan Rusi” dhe mandej shfaqet në ambientet e një karburanti në Kashar. Pikërisht në këto ambiente Martinaj ka ndërruar makinë, duke u larguar në drejtim të Vorës dhe mandej ka hyrë në zonën e Shijakut.
Në këtë zonë ka shkuar në banesën e një personazhi të njohur të tij, dhe pikërisht këtu ka humbur çdo kontakt.
Martinaj, besohet dhe dyshohet shumë se është futur në kurth pikërisht nga njerëzit që ai ka shkuar të takojë në Shijak./Ora News/