KUJDES/ 3 mënyrat e votimit që vota juaj të quhet e vlefshme! (FOTO LAJM)

Në fletën e votimit janë të shënuara emrat e subjekteve zgjedhore (parti politike, koalicione ose kandidatë të pavarur), dhe në secilin rresht ku është shënuar emri i subjektit zgjedhor janë të shënuar në vazhdim numrat e kandidatëve të atij subjekti sipas renditjes në listën e dorëzuar në KQZ.

Po si duhet të plotësohet fleta e votimit që ajo të jetë e vlefshme?

KQZ informon se në kuadratin e bardhë përbri logos së subjektit zgjedhor (parti/koalicion), ose sipas rastit kur zgjedh edhe kandidatin, duhet të vendosësh shenjën X, ose +. Çdo shënim tjetër mundet ta bëjë të pavlefshme fletën e votimit.

1. Qytetari mund të votojë vetëm subjektin zgjedhor (parti/koalicion) dhe të mos votojë për asnjë nga kandidatët e atij subjekti zgjedhor. Në këtë rast vota i shkon listës së kandidatëve në tërësi sipas renditjes që ka paraqitur subjekti zgjedhor.

2. Qytetari mund të votojë për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votojë vetëm njërin nga kandidatët e atij subjekti. Në këtë rast vota i shkon subjektit zgjedhor. Është gjithashtu votë edhe për kandidatin e atij subjekti.

3. Qytetari mund të votojë vetëm për një kandidat (duke shënuar X ose + vetëm në kutinë që i korrespondon numrit të kandidatit të preferuar), pa votuar subjektin zgjedhor të cilit i përket ai kandidat. Në këtë rast vota shkon për kandidatin, por shkon edhe për subjektin të cilit i përket kandidati.

KQZ thekson se, votuesit nuk mund të votojnë për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër. Votuesit nuk mund të votojnë për dy subjekte zgjedhore. Votuesit nuk mund të votojnë për dy kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor. Gjithashtu votuesit nuk mund të votojnë dy kandidatë të dy subjekteve të ndryshëm.

 


Shtuar 25.04.2021 07:16