Kufizimet për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve/ Ekonomistja shpjegon skemën: Përfitimet dhe përjashtimet sipas kategorive

Ekonomistja Romina Radonshiq, teksa ishte e ftuar në “News24 Fundjavë”, foli për kufizimet për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve.

Gjatë intervistës, ajo shpjegoi se kush përjashtohet, duke u ndalur gjithashtu edhe tek vendimi i datës 30 dhjetor.

“Flitet shpesh jo vetëm për bonusin e fundvitit, por edhe për atë bonusin që u tha se ishte rritje, por që në fakt është një shtesë fikse në pension e marrë nga buxheti i shtetit. Ndërkohë shtesën do ta përfitonin të gjithë pensionistët sipas kategorive në vlera të ndryshme. Por u pa që nuk e përfituan sepse në muajin janar pjesa më e madhe e pensionistëve i kanë tërhequr pensionet e tyre”, tha ajo.

Por kush përfiton dhe kush janë kufizimet?

“Për ato pensionistë që kanë një pension të plotë dhe do të merrnin një shtesë mujore fikse dhe jo rritje, duhet ta përfitojnë, pra janë përfitues vetëm nëse pensioni i tyre është 40 mijë lekë të vjetra, nëse pensioni i tyre është mbi 40 mijë lekë të vjetra ato nuk e përfitojnë këtë shtesën mujore. Për ato që janë pension rural, shtesa do të ishte 1 mijë lekë çdo muaj. E përfitojnë të gjithë ata pensionistë që kanë një pension jo më të lartë se 18 mijë lekë. Nuk e përfitojnë nëse kanë një pension mbi 18 mijë lekë në muaj. Ndërsa për pensionet e pjesshme, do të përfitohet një shtesë mujore prej 800 lekësh, vetëm nëse pensioni i tyre i pjesshëm nuk e kalon vlerën 22 mijë lekë. Pensionet e invaliditetit kanë një shtesë prej 700 lekësh, e përfitojnë ata pensionistë nëse pensioni i tyre është deri në 30 mijë lekë të reja. Nëse kalon 30 mijë lekë të reja nuk e përfitojnë këtë shtesën. Ndërsa për pensionet familjare, përfitojnë shtesën prej 600 lekë, të gjithë ata që marrin pension familjarë nëse nuk kalojnë vlerën prej 18 mijë lekë”, shpjegoi ajo.