Ku po i fshehin oligarkët rusë paratë e tyre të paligjshme?
Për dekada, oligarkët rusë kanë lëvizur miliarda dollaë para të paligjshme jashtë vendit, duke i vendosur ato në kompani guackë për ta bërë jashtëzakonisht të vështirë gjurmimin.
Tani, vendet në mbarë botën po ndërmarrin hapa për t’i gjetur ato
Sa “para të errëta” ruse ka në mbarë botën?
Studimi amerikan, Këshilli Atlantik thotë se rusët kanë rreth 1 trilion dollarë nga ato që i quan “para të errëta” të fshehura jashtë vendit.
Raporti i tij i vitit 2020 vlerësoi se një e katërta e kësaj shume kontrollohet nga presidenti rus Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, rusë të pasur të njohur si “oligarkë”.
“Këto para mund të shfrytëzohen dhe drejtohen nga Kremlini për spiunazh, terrorizëm, spiunazh industrial, ryshfet, manipulim politik, dezinformim dhe shumë qëllime të tjera të liga”, thuhet në raport.
Si i bënë paratë e errëta?
Një tjetër institut amerikan, National Endowment for Democracy, thotë se Putini ka inkurajuar bashkëpunëtorët e ngushtë “të vjedhin nga buxheti i shtetit, të zhvatin para nga bizneset private dhe madje të orkestrojnë sekuestrimin e drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve fitimprurëse”.
Ai thotë se në këtë mënyrë, ata kanë ndërtuar pasuri personale që shkon në dhjetëra miliarda.
Udhëheqësit e opozitës ruse Boris Nemtsov dhe Vladimir Milov kanë pohuar se midis 2004 dhe 2007, 60 miliardë dollarë u transferuan nga fondet e gjigantit të naftës Gazprom te miqtë e Putinit.
Dokumentet Pandora, të publikuara nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues, vënë në dukje se njerëzit e afërt me Putinin janë bërë shumë të pasur, dhe mund ta ndihmojnë atë të lëvizë pasurinë e tij.
Ku po mbahen ato?
Historikisht, shumë nga këto para kanë shkuar në Qipro, të joshur nga taksat e favorshme. Për disa, ishulli u bë i njohur si “Moscow on the Med”.
Sipas Këshillit Atlantik, 36 miliardë dollarë para ruse shkuan atje vetëm në vitin 2013. Pjesa më e madhe e saj mbërriti nëpërmjet kompanive guaskë, të cilat përdoren për të errësuar pronarët e vërtetë.
Në vitin 2013, Fondi Monetar Ndërkombëtar e bindi Qipron të mbyllte dhjetëra mijëra llogari bankare të mbajtura nga kompanitë guaskë.
Territoret britanike jashtë shtetit si Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Ishujt Kajman janë gjithashtu destinacione të preferuara.
Një raport nga Global Witness tha se në vitin 2018, oligarkët rusë kishin rreth 45.5 miliardë dollarë në këto parajsa fiskale.
Disa nga këto para e gjejnë rrugën drejt kryeqyteteve financiare si Nju Jorku dhe Londra, ku mund të investohen dhe të korrin kthime.
Organizata kundër korrupsionit Transparency International pretendon se të paktën 2 miliardë dollarë prona në Mbretërinë e Bashkuar janë në pronësi të rusëve të akuzuar për krim financiar, ose me lidhje me Kremlinin.
Gjerësia e pastrimit të parave ruse u ekspozua më tej në një raport të vitit 2014 nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në “Laundromat Ruse”. Ai tha se midis 2011 dhe 2014, 19 banka ruse kanë pastruar 20.8 miliardë dollarë në 5,140 kompani në 96 vende.
Si fshihen paratë?
Mënyra e zakonshme që oligarkët rusë fshehin “paratë e tyre të errëta” jashtë vendit është përmes kompanive guackë.
“Këta oligarkë punësojnë avokatët, auditorët, bankierët dhe lobistët më të mirë në botë për të zhvilluar mjete ligjore për të fshehur dhe pastruar fondet e tyre,” thotë Këshilli Atlantik.
“Një oligark serioz ka shtresa kompanish anonime guaskash në një sërë juridiksionesh në det të hapur dhe fondet e tij lëvizin me shpejtësi rrufeje mes tyre.”
Në vitin 2016, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues publikoi Panama Papers, të cilat tregonin se vetëm një kompani kishte krijuar 2071 kompani guaska për rusët e pasur.
Çfarë hapash po ndërmerren për të nxjerrë paratë e oligarkëve?
Pas pushtimit të Ukrainës, vendet kanë njoftuar një sërë masash për të gjurmuar paratë ruse.
SHBA-ja po ngre një task forcë të re “KleptoCapture” për të goditur financat e oligarkëve rusë.
Ai do të drejtohet nga Departamenti i Drejtësisë dhe ka për qëllim sekuestrimin e pasurive të marra nga sjellje të paligjshme.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka ndërmarrë hapa për të rritur përdorimin e urdhrave të pasurisë së pashpjegueshme (UËO), të cilat i detyrojnë njerëzit të provojnë se ku i kanë marrë paratë për të blerë asete në Mbretërinë e Bashkuar.
Urdhrat për ngrirjen e llogarive (AFO) lejojnë gjykatat të ngrijnë fondet në një bankë ose shoqëri ndërtimi nëse dyshojnë se paratë janë të lidhura me aktivitet kriminal.
Dhe qeveria ka miratuar ligjin për krimin ekonomik, me një regjistër të pronësisë përfituese për pronat në pronësi të subjekteve jashtë shtetit.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka hequr “skemën e saj të vizës së artë”, e cila u jepte të drejta qëndrimi të huajve të pasur nëse investonin shuma të mëdha parash në vend.
Malta, një strehë e preferuar për paratë ruse, ka hequr gjithashtu skemën e saj të “pasaportës së artë” që lejonte oligarkët të blinin shtetësi. Qiproja dhe Bullgaria hoqën dorë nga skemat e tyre të pasaportave të arta në vitin 2020. ./Përshtati nga BBC, e.b-albeu.com