“Ku është shtëpia e Vladimir Kurtit?” Detaje tronditëse nga vrasja në Kamzë, si shpëtoi nëna e viktimës nga plumbat e Dan Hutrës

Detaje tronditëse i lidhin edhe më shumë vrasjet në Kamzë dhe Paskuqan ditën e sotme, për të cilat ka dyshime të forta se është i njëjti autor.

Mësohet se Dan Hutra, pasi ka bërë kasaphanën në banesën e ish-gruas së tij, ku vrau dy gratë e familjes dhe plagosi atë dhe nënën e saj, u drejtua tek objektivi i dytë, familja e Vladimir Kurtit.

Nëna e 31-vjeçares Etleva Kurtit, e cila u qëllua për vdekje në oborrin e banesës së saj ka treguar për se në momentin kur ndodhi krimi ka qenë nga pas banesës duke punuar, kur ka dëgjuar krisma të forta, sipas gazetares Klodiana Lala.

“Isha duke punuar nga pas shtëpisë kur dëgjova disa krisma. Kur dola para shtëpisë pashë gocën përtokë të vrarë”, ka thënë nëna e viktimës, e cila ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

Hutra duket se e kishte planifikuar sulmin ndaj familjes së Kurtit, pasi kishte ndalur makinën në zonën e Kamzës dhe kishte pyetur një banore të zonës se ku ishte shtëpia e tij. Kjo e fundit i kishte treguar vendndodhjen, pa ditur synimet makabre të vrasësit.

Më pas Hutra ka hyrë në banesë, ku ka hapur zjarr në drejtim të 31-vjeçares, duke e lënë të vdekur në oborrin e shtëpisë, dhe më pas është larguar.

Autori është ende në arrati dhe policia po vijon punën për kapjen e tij. /albeu.com


Shtuar 1.03.2023 18:30