Kryetari i Moskës: Rreth 45 mijë moskovitë luftojnë në Ukrainë

Dhjetëra mijëra moskovitë janë duke marrë pjesë në operacionet luftarake në Ukrainë, ka thënë kryetari i kryeqytetit të Rusisë, Moskës, Sergei Sobyanin.

Një deklaratë e tillë vjen rrallë prej zyrtarëve rusë, të cilët nuk flasin me shifra për luftën.

“Dyzet e pesë mijë moskovitë janë duke luftuar në zonën e operacionit special ushtarak”, ka thënë Sobyanin, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, teksa i është referuar luftës në Ukrainë.

Sipas tij, rreth 5.000 prej tyre janë ushtarë profesionistë.

Në fillim të gushtit, zëvendëskryetari i Këshillit për Siguri Kombëtare të Rusisë, Dmitry Medvedev, ka thënë se Rusia e ka rritur personelin ushtarak shtesë në 230.000 pjesëtarë, vetëm këtë vit.

Në shtator të vitit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin ka lëshuar urdhër për mobilizim të pjesshëm ushtarak, duke kërkuar angazhimin e 300.000 burrave shtesë në luftë.

Ky vendim – që shënon mobilizimin e parë rus prej Luftës së Dytë Botërore – e ka shokuar shtetin, pasi mijëra burra janë dërguar në ushtri, dhe shumë tjerë kanë ikur nga vendi.

Duke mos qenë gati që të lëshojë urdhër për mobilizim të dytë, Moska ka nisur fushatë të madhe, duke tentuar t’i joshë rusët përmes ofertave financiare.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë vitin e kaluar se, ushtria ruse do t’i ketë 1.5 milion ushtarë, teksa Moska e vazhdon luftën e saj në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel


Shtuar 16.08.2023 23:30