Glauk Konjufca është i mandatuari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë e re të Kosovës. Nuk ka ndonjë njoftim nëse Konjufca ka arritur ta sigurojë shumicën. Asnjë nga partitë e deritashme në opozitë, siç thonë, nuk dëshirojnë t’i bashkohet Vetëvendosjes në një koalicion në mënyrë që të shmangeshin zgjedhjet e reja parlamentare.
Kontaktet me AAK-në pa rezultat
E vetmja parti që tha, se është kontaktuar në këtë fazë nga Vetëvendosja, ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një përpjekje kjo për të koordinuar takime lidhur me votimin e qeverisë. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ka refuzuar t’i takojë zyrtarët e Vetëvendosjes, sikundër që do të refuzonte edhe nëse do të merrte propozime konkrete për bashkëpunim në qeverisje. Haradinaj konsideron, se “zgjedhjet e parakohshme janë rrugëdalja e vetme nga ngërçi politik”.
“Ne nuk kemi pasur propozim apo kërkesë për çfarëdo bashkëpunimi. Kanë kërkuar komunikim, ka pasur kërkesa për takim ose konsulta me kolegë nga radhët tona edhe me mua në këtë rast. Por nuk e shohim të shkojmë në takime”, ka thënë Haradinaj.
Partitë e tjera opozitare refuzojnë bashkëpunimin
Dy partitë e tjera të deritashme në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thonë se nuk janë kontaktuar fare nga Vetëvendosja dhe nuk duan të bashkëpunojnë me këtë parti. Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se qëllimi i LVV-së nuk është që ta sigurojë shumicën parlamentare, por vetëm që të blejë kohë.
