Këtë të enjte, kryeministri Edi Rama, ka prezantuar një nismë të re të qeverisë në fushën e kontrollit të territorit, të quajtur Kryeinspektoriati Digjital i Territorit.
Në një publikim në rrjetet sociale, ai e cilësoi këtë strukturë si një inovacion, që do të ndihmojë në monitorimin e aktiviteteve të ndryshme në mbarë vendin.
Sipas kryeministrit, ky inspektoriat do të ketë një fushë të gjerë veprimi nga kontrolli i ndërtimeve, taksat dhe tarifat vendore, tek monitorimi i prodhimit bujqësor, mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve.
Postimi i kryeministrit Rama:
Ju prezantoj me një tjetër inovacion të qeverisjes: Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit.
Videoja është një fragment i shkurtër i informacionit që ky Kryeinspektoriat po mbledh nëpër Shqipëri, për të filluar punën për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit.
Ky Kryeinspektoriat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve, duke e bërë punën e strukturave përkatëse më të lehtë, si edhe duke i bërë zullumet e llojllojshme shumë më të vështira.