Kryeministri Edi Rama shpërthen në akuza ndaj gjyqtarëve: Injorantë dhe të korruptuar

Kryeministri Edi Rama në një takim me qytetarët ku po fliste për buxhetin dhe mbështetjen ndaj tyre, nuk i ka kursyer “sulmet” për gjyqtarët, të cilët i ka quajtur injorantë ose të korruptuar.

Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë teksa po fliste për marrëveshjet pronar-ndërtues dhe hapësirat publike, ndërsa theksoi se mjaft probleme ndodhin për shkak të gjyqtarëve të këtij lloji.

Nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama “sulmon” gjyqtarët. Pak kohë më parë kreu i qeverisë linçoi publikisht magjistratin Marko Boshku.

“Kemi arritur që kur bëhet një ndërtim në një pronë, flasim për ndërtim banesash, dhe pronarët bëjnë një marrëveshje me një ndërtues, gjithçka që është rreth ndërtimit, nuk është më e pronarit dhe as e ndërtuesit, është e komunitetit.

Këto probleme të trashëguara nuk janë zgjidhur më parë dhe sot hasin vështirësi për shkak të injorancës dhe korruptimit të gjykatësve. Njëra nga të dyja ose të dyja së bashku sepse duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve të drejtën për të pasur hapësirat e tyre, që iu njohin ndërtueseve një të drejtë që nuk iu takon.

E di që nuk është normale që kryeministri të tregojë me gisht një gjykatës duke i treguar fotografinë dhe duke i thënë që ka bërë një akt armiqësor.

Ama për mua është e rëndësishme që të gjithë ata që ankohen, që një lokal i zë rrugën për të dalë nga shtëpia, të mendoje që ai lokali atje nuk prishet sepse nuk do x apo y apo se është korruptuar inspektorati. Kur në fakt e vërteta është se ai lokali nuk prishet se gjykatësi i ka dhënë të drejtën të rrijë aty dhe të bëjë biznes në kurriz të komunitetit.

Më vjen mirë që tani gjykatësit janë më të përmbajtur. Nëse ne duam të ndërtojmë një shkollë apo kopësht, aty ku hapësira është e lirë dhe prona është private, atëherë duhet ta shpronësojmë.”-tha Rama.


Shtuar 14.11.2025 18:50