Kryeministri britanik Keir Starmer vizitë në Kryeministri, takim me Ramën

Këtë të enjte, kryeministri britanik Keir Starmer, ka mbërritur në Kryeministri, pas takimit që pati me presidentin Bajram Begaj.

Ai u prit me ceremoni zyrtare, përpara se të hyjë në kryeministri dhe të zhvillojë takim “tetë a tetë” me kreun e qeverisë shqiptare.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mirëpritur me një ceremoni zyrtare homologun e tij britanik, Keir Starmer, i cili po qëndron për herë të parë në Shqipëri në një vizitë zyrtare.

Rama theksoi se kjo vizitë, shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të lidhjeve dypalëshe dhe partneritetit midis Tiranës dhe Londrës.

Gjatë qëndrimit të tij, Starmer pritet të shpallë masa të reja që synojnë ndalimin e rikthimit të shtetasve shqiptarë të dëbuar më parë nga Britania e Madhe, si dhe forcimin e bashkëpunimit për goditjen e aktiviteteve kriminale financiare, përfshirë pastrimin e parave.

Në kuadër të kësaj nisme, ai do të dhurojë dy pajisje të specializuara për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, me synimin për të identifikuar më lehtë individët që përpiqen të përdorin pasaporta të rreme.

Po ashtu, Starmer pritet të bëjë publike edhe zgjerimin e grupit të përbashkët të punës për çështjet e migracionit, duke përfshirë në këtë nismë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me qëllim krijimin e një qasjeje më të gjerë rajonale ndaj kësaj sfide.


Shtuar 15.05.2025 11:30