Kryemadhi mesazh ministreve të reja: Mos u bëni kukulla, Shqipëria ka nevojë për njerëz të vërtetë

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u është drejtuar me një mesazh 12 ministreve të reja të qeverisë “Rama 3”.

Kryemadhi iu ka kërkuar të mos bëhen kukulla që thjesht firmosin koncesione që ndahen mes njëri-tjetrit, por me dinjitet, me integritet të kenë personalitetin dhe të bëjnë krenare të gjitha gratë e Shqipërisë

“Zgjedhjet që kaluam na përballën me të pamundurën. Shumë kolegë i përmendën këtu por do dëshiroja që t’i kishin denoncuar të gjitha problematikat që ngritën. Që me shitblerjen e votës,  që me ndihmën ekonomike, që me legalizimet, që me hipotekat, që me koncesionet, duke filluar nga Porti i Durrësit dhe duke vazhduar edhemë tej  me hidrocentralin e Skavicës.

Do dëshiroja të shikoja se çfarë ndodh me opozitën? Dhe në fakt ndoshta mua nuk më takon kjo pyetje. Por përkundrazi më takon që të marr disa përgjegjësi të tjera. Në radhë të parë, për t’ju uruar grave të qeverisë, që janë 12 gra detyrën. Po për të mos qenë kukulla dhe instrument, thjesht firmosës të koncesioneve që ndahen midis njëri tjetrit.

Gratë në jetën dhe familjen e shqiptarve janë shtylla kurrizore e Shqipërisë. Janë ato që i bëjnë shtëpinë dhe familjet tona të lumtura. Janë gratë ato që rrisin me dashuri fëmijët dhe i mësojnë sesi të duan vendin. Është shumë e rëndësishme që gratë e qeverisë shqiptare të jenë gra me dinjitet, me integritet të kenë personalitetin dhe të bëjnë krenare të gjitha gratë e Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë, Shqipëria nuk ka nevojë për kukulla, qofshin gra apo burra. Sot më shumë se kurrë shqipëria ka nevojë për njerëz të vërtetë.

Sepse grate kanë mundësi të ngrihen për të luftuar për fëmijët e tyre, sepse ndoshta akoma tranzicioni politik nuk i ka lënë hapësirë që të  këtë demokraci të vërtetë, asaj së cilës ne i kemi besuar disa dekada më parë.

Akoma nuk shikoj në programin e qeverisë nëse flitet dicka për 300 mijë vendet e punës sepse shikoj të rinj që ikin, nuk shikoj shëndetësinë falas, në fakt janë vaksinat falas por nuk ka qenë falas shërbimi i të sëmurëve me covid që kap vlerën mbi 150 milionë euro dhe nëse kjo shumë nuk do të ishte përdorur nga xhepat e qytetarëve shqiptarë do të ishte një mundësi shumë e madhe për të krijuar vende të reja pune”, tha Kryemadhi./albeu.com


Shtuar 17.09.2021 08:58