Në mes të një krize politike që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës, pas disa tentimeve të pasuksesshme për të zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kohë që ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë për konsultime me liderët e partive politike, me qëllim të tejkalimit të situatës.
Sipas këshilltarit për media i Presidentes, Bekim Kupina mësohet se Vjosa Osmani në një letër zyrtare të datës 16 prill 2025, drejtuar kryesuesit të seancës së Kuvendit, Avni Dehari, ka ofruar mundësinë e takimeve dhe ka theksuar se është e hapur për konsultime në çdo kohë, sipas nevojës së partive politike.
Sipas tij, Presidentja mbetet e përkushtuar për dialog institucional, bashkëpunim dhe koordinim në funksion të stabilitetit të vendit dhe interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar katër herë radhazi në përpjekjet për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit. Kandidatura e saj, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave, pavarësisht pranisë së plotë të deputetëve në seanca.
Në seancën më të fundit të mbajtur më 25 prill, Haxhiu mori vetëm 57 vota për, nga 118 deputetë të pranishëm, ndërsa 47 ishin kundër dhe 3 abstenuan. Kjo situatë ka shkaktuar bllokim institucional dhe ka shtuar presionin për zgjidhje politike.
Përndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot i ka kërKuar presidentes Vjosa Osmani të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar zgjidhje të mundshme.