Nga Chris Patten “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Në dhjetorin e vitit 2003, afro 9 muaj pas fillimit të Luftës së Irakut, e cila do të përcaktonte njëherë e përgjithmonë trashëgiminë e tij, presidenti i atëhershëm i SHBA-së George W. Bush u pyet nëse politikat e administratës së tij ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Unë nuk e di se për çfarë jeni duke folur në lidhje me ligjin ndërkombëtar. Më mirë të konsultohem me avokatin tim”- tha ai me shaka. Aventurizmi ushtarak katastrofik i Bush, ilustroi shumë qartë rëndësinë që kanë normat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe pasojat e shpërfilljes së tyre.
Mjerisht, duket se ne e kemi harruar sërish këtë mësim. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Kombet e Bashkuara kanë qenë gur themeli i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ndërsa shumë marrëveshje të tjera ndërkombëtare merren me çështje të tilla si armët kimike, lufta biologjike dhe stabiliteti rajonal, OKB-së i është besuar roli kryesor i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit global.
Dhe ajo që e bëri efektive, të paktën për një kohë, ishte mbështetja e demokracive liberale të botës, dhe më e rëndësishmja, angazhimi i palëkundur i administratave demokrate dhe republikane në Shtetet e Bashkuara. Sigurisht, SHBA prej disa kohësh ka shfaqur një sjellje me 2 standarte në lidhje me disa aspekte të rendit ndërkombëtar, siç dëshmohet nga refuzimi i saj prej kohësh për t’iu bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Megjithatë në pjesën më të madhe, ajo i është përmbajtur rregullores globale, pavarësisht nga fuqia e madhe politike dhe ekonomike që fitoi pas Luftës së Dytë Botërore, e cila i dha mundësinë që të bënte gjithçka që donte në mënyrë të njëanshme.
Gjithçka ndryshoi me vendimin e administratës Bush për të pushtuar Irakun, një vend sovran, përballë kundërshtimit të ashpër ndërkombëtar, dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke vepruar në atë mënyrë, SHBA-ja dëmtoi rëndë besueshmërinë e saj dhe minoi sistemin global të bazuar në rregulla, dhe duke u ofruar shumë vendeve afrikane dhe të Amerikës Latine një arsye të besueshme për të mos dënuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
Edhe India ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj Ukrainës, duke përfituar nga sanksionet ekonomike të udhëhequra nga SHBA për ta blerën naftë ruse me një ulje të madhe të çmimit, pavarësisht thellimit të lidhjeve midis Kremlinit dhe Kinës, rivalit kryesor gjeopolitik të Indisë.
Teksa demokracitë liberale po përpiqen të arrijnë disa marrëveshje të mëdha ndërkombëtare për të adresuar sfidat e mëdha politike, ekonomike dhe sociale të shekullit XXI – sidomos ndryshimet klimatike dhe migracionin masiv – ato duhet të përballen me trashëgiminë e mosbesimit dhe ndarjes që la pas Lufta e Irakut.
Sidomos adresimi i presioneve të ardhshme migratore, do të jetë i pamundur të arrihet pa marrëveshje ndërkombëtare dhe pa bashkëpunimin e vendeve me të ardhura më të ulëta në Jugun Global. Për shembull, popullsia e Afrikës pritet të dyfishohet deri në vitin 2050.
Për të shmangur një kombinim toksik të paqëndrueshmërisë politike, luftës dhe mjerimit ekonomik të përkeqësuar nga klima që mund të prekë qindra miliona njerëz në të gjitha rajonet më të cënueshme të kontinentit, demokracitë liberale të Evropës duhet të përdorin inovacion shtetëror, ndërhyrjen e sigurisë dhe një ndihmë të madhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Pa masa të tilla, vendet e Evropës Perëndimore mund të përballen me një valë masive emigracioni, e cila në mënyrë të pashmangshme do të sillte sfida sociale serioze, dhe që do të nxiste më tej forcimin e politikave populiste.
Megjithatë, aktualisht duket se strategjia kryesore e Evropës për trajtimin e emigracionit të paligjshëm është të shpresohet që perspektiva e vdekjes në Detin Mesdhe ose Kanalin Anglez do t’i frenojë azilkërkuesit.
Por siç e tregon përvoja e kohëve të fundit e Mbretërisë së Bashkuar, masa të tilla edhe pse shumë popullore në tabloidët e krahut të djathtë, nuk adresojnë shkaqet themelore të problemit. Ndërsa vendet evropiane përballen me plakjen e popullsisë dhe një rënie të numrit të njerëzve në moshë pune, është gjithnjë e më e dukshme nevoja për një politikë të ndjeshme ndaj emigracionit që merr parasysh nevojat afatgjata të vendeve.
Vendosja e ekuilibrit të duhur midis lehtësimit të emigracionit të nevojshëm dhe kufizimit të numrit të njerëzve që hyjnë ilegalisht, do të jetë një nga sfidat përcaktuese të Evropës gjatë dekadave të ardhshme. Kjo çështje po e dominon tashmë debatin politik, duke pasur madje fuqinë për të rrëzuar qeveritë, siç bëri së fundmi në Holandë, dhe duke nxitur forcimin e ekstremistëve të krahut të djathtë.
Por duke pasur parasysh sfidat demografike të kontinentit, garantimi i shërbimeve publike thelbësore dhe ruajtja e rritjes ekonomike, do të kërkojë pranimin e shumë më shumë emigrantëve sesa do të preferonin Marine Le Pen e Francës dhe Nigel Farage i Britanisë së Madhe.
Kërcënimi ekzistencial i shkaktuar nga ndryshimet klimatike, nxjerr në pah nevojën emergjente për të kapërcyer hendekun e besimit midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Në këto kushte, komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë konsensusin se si të reduktojë emetimet e gazrave serë në atmosferë, dhe të sigurojë që ata që janë më të prekur nga efektet e ngrohjes globale – vendet me të ardhura të ulëta që janë më pak përgjegjëse për krijimin e tij – të mos ngarkohen me një barrë disproporcionale.
Besimi i botës tek kapaciteti i demokracive liberale perëndimore për të hartuar politika dhe gjetur marrëveshje për të adresuar këto sfida kritike, do të ishte dukshëm më i lartë në rast se SHBA-ja do të ishte ende e aftë për një udhëheqje dypartiake. Por në një kohë kur republikanët në Uashington po i minojnë vetë themelet e politikës elektorale, kjo duket shumë e pamundur.
Shumë prej ndarjeve aktuale politike të brendshme të Amerikës u zgjeruan nga Lufta e Irakut. Ndërsa presidentë si Franklin Roosevelt, Harry Truman dhe Dwight Eisenhower treguan se liderët efektivë mund ta bëjnë botën një vend më të sigurt dhe më të mirë, edhe përballë vështirësive të mëdha, presidenca Bush tregoi se po aq e vërtetë është edhe e kundërta.