Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në Durrës, në zonën e Shkafanës, ku raportohet se një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur.
Nga informacionet paraprake bëhet me dije se i riu është transportuar në menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit, pasi ka marrë plagë në këmbë. Mësohet se fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa dyshohet se ka nisur për motive të dobëta. Po ashtu, bëhet me dije se policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij.
Njoftimi i Policisë:
Durrës / U konfliktuan për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit plagosën me armë zjarri një 35-vjeçar, Policia identifikon dhe shpall në kërkim dy shtetas.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje për kapjen e dy autorëve të dyshuar.
Rreth orës 17:45, në Shkafanë, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. D., 35 vjeç, ka plagosur me armë zjarri (pistoletë) shtetasin M. J., 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, kanë identifikuar autorin dhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin R. A., dhe janë vënë në ndjekje të tyre.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.