Krimi vrau Mozën e pafajshme në “Don Bosko”, flet djali i viktimës: Mami kishte shkuar për të marrë kafe, nuk ishte në punë. Thirrja për mediet

Katër ditë më parë plumbat e grupeve kriminale i morën jetën Mimozës së pafajshme. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Anastas Shundi” në lagjen e “Don Boskos.”

Persona ende të paidentifikuar derdhën breshërinë e plumbave në drejtim të loklait të Fation Muratit. Viktimë mbeti Mimoza Paja, 58 vjeç, ndërsa 5 persona të tjerë u plagosën. E plagosur nga ciflat e xhamave mbeti gjithashtu mbesa 10-vjeçare e viktimës.

Katër ditë pas tragjedisë, djali i Mimozës, Sajmiri ka treguar se në momentin që ka ndodhur vrasja, nëna e tij, Mimoza nuk ka qenë në orar pune te lokali i Fation Muratit, por kishte shkuar për të marrë një kafe, pasi nuk donte që të rrinte në shtëpi.

“Di që në atë lloj ore nuk ka qenë aty, thjesht ka qenë duke dalë për të marrë një kafe për vete se e konsumon shumë, e pëlqente. Nuk donte të rrinte vetëm në shtëpi, shkonte vinte, dilte”, ka rrëfyer Sajmiri.

Në momentin që ka ndodhur ngjarja, Sajmiri nuk ka qenë në shtëpi. Lajmin për të shtënat me armë në lokal e ka marrë nga një telefonatë që i bëri kunati i tij, e ndërsa me vrap është nisur në vendngjarje! Gjatë kësaj kohe, rrugës, ka lexuar me shpejtësi atë se çfarë kishin shkruar mediat dhe nga aty mësoi se “nëna e tij kishte mbaruar”, siç vetë rrëfen, e ndërsa lutej që mbesa e vogël 10-vjeçare edhe ajo e lënduar nga ciflat e xhamit si pasojë e breshërive të kallashnikovit, të ishte mirë.

“Unë në ato momente sapo kisha ardhur, 10 minuta kisha sjellë njerëzit këtu. Shkova se kisha punën time, thjesht isha ulur në lokal duke pirë kafe. Më bie telefoni nga kunati, nga dhëndri im banon këtu afër meje, tha: Hajde se ndodhi kjo që ka ndodhur. Gjatë rrugës po shihja portalet, e vetmja gjë që më shkoi në mendje i lutesha zotit, ishte mbesa, pjesa më e madhe sa e mora vesh që kishte mbaruar… (qan)”, rrëfehet ai për Report Tv.

Në shtëpi ndodhej edhe një nga vajzat e Mimozës, e ëma e 10-vjeçares. Vajza thotë se nuk e kishte braktisur të bijën, por e mitura qëndronte me gjyshen sepse e donte shumë.

Nëna e 10-vjeçares: Po shumë mirë, mirë është për momentin. Vajza ka qëndruar me gjyshen për arsye se e ka dashur shumë gjyshen dhe nuk është se e kam lënë unë, përkundrazi unë kam pas edhe probleme me burrin për arsye se donte të rrinte tek gjyshja, por gjyshja e ka dashur aq fort dhe janë dashur aq shumë me njëra tjetrën  sa ka qenë e pamundur që ta largoje nga gjyshja e vet.

Ajo që e ka lënduar shumë janë edhe informacionet në media se e motra e kishte braktisur 10-vjeçaren dhe e kishte lënë te gjyshja, apo edhe lajmi se kishin 6 muaj pa paguar qiranë. Këto, thotë Sajmiri, nuk janë aspak të vërteta, e ndërsa u kërkon mediave që të vënë dorën në zemër, e të mendojnë për pasojat që sjellin te familja e viktimave.

“Nuk e di, m’u duke e vetmja bindëse që ta jap këtë intervistë, pavarësisht se kam pasur kërkesa të shumta, m’u duke ti e vetmja bindëse. Jo se të tjerët nuk mund të jenë, por me ato që kam dëgjuar ma kanë neveritur më kanë vrarë për së dyti herë më tepër. Mesazhi është të bëhen më njerëzor. Të shohin njerëzillikun, të rezervohen në dhënien e lajmeve, nuk është jeta një klikim. Konkurencën mbajeni me gjëra reale, jo për klikime. S’kam të drejtën e askujt t’i bëj gjykimin një personi sado mund të jetë i lartë ose më i varfër, nuk kemi pse ta paragjykojmë, edhe nëse ka qenë ashtu, duhet t’i japim mbështetje jo t’ja thyejmë zemrën më shumë”, shtoi ai.

Edhe pronari i shtëpisë ku Mimoza Paja qëndronte me qira tregon se viktima ishte shumë korrekte me pagesën.

“Na rrinte shumë korrekt për punën e qirasë. Këto që thonë se ka kohë pa paguar qiranë është gënjeshtër”, ka treguar pronari i qirasë.   

Lokali ku punonte nëna e tij, ishte në pronësi të Fatjon Muratit, një person me rekorde kriminale, por djali i Mimoza Pajës, thotë se kishte informacion, përveç faktit që ishin komshinj.

“Për lokalin nuk e di fare, komshinj i kam, por nuk di të kenë ndonjë gjë, nuk kam dëgjuar gjë”, ka treguar ai./Albeu.com/