Një krim i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Velipojë. Gjatë një sherri me armë i cili dyshohet se ka nisur për Shezlonga, janë vrarë 4 persona dhe plagosur 2 shtetas.
Drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj dha një prononcim për mediat mbi vrasjen e katërfishtë.
Niko Brahimaj deklaroi se në këtë konflikt janë përdorur më shumë se një armë, ndërsa policia ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale. Ai shtoi se janë sekuestruar një numër kamerash nga vendngjarja, por kushtet e pamjeve kanë qenë të kufizuara për shkak të errësirës.
“Rreth orës 00:30 ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale para hotel Gocaj. Për shkak të një konflikti me armë të çastit për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë ku vendosen shezlongët, kanë gjetur vdekjen Kujtim Ferracaku, Xhovano Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli. Është përdorur më shumë se 1 armë. Kemi bërë sekuestrimin e kamerave të sigurisë. Do të ketë persona të arrestuar dhe të shpallur në kërkim”.
Drejtori i Policisë bën me dije se të plagosur kanë mbetur shtetasit Hasan Ferracaku dhe Elmedin Dyli. Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, si dhe grupi hetimor me specialistët e drejtorisë së Policisë Shkodër. /albeu.com/