Krim makabër në Francë, babai vret tre vajzat e tij të mitura

Një burrë 41-vjeçar i njohur për autoritetet për rastet e dhunës në familje u dorëzua sot në polici dhe rrëfeu se kishte vrarë tre vajzat e tij, 4, 10 dhe 11 vjeç, brenda shtëpisë së tyre në Alfortville, një periferi të Parisit.

Zyra e prokurorit publik Kreteig konfirmoi vdekjen e “tre vajzave të vogla, të moshës 4, 10 dhe 11 vjeç”.

Babai shkoi pasditen e sotme në stacionin e policisë Dieppe në Normandi dhe deklaroi se kishte vrarë fëmijët e tij.

Policia më pas shkoi në shtëpinë e tij në Alfortville dhe gjeti të vdekura tre vajzat. Nga provat e para të hetimit dy fëmijët janë vrarë me thikë dhe trupat e tyre janë mbuluar me batanije.

Fëmija i tretë ishte në një divan. Autori ishte dënuar disa herë në të kaluarën për dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve të tij.

Një burim pranë hetimit tha se dy prindërit kishin kujdestarinë e alternuar të fëmijëve të tyre.

41-vjeçari pretendoi se nuk e dinte vendndodhjen e nënës së fëmijëve dhe policia nuk ishte në gjendje ta lokalizonte atë deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme.

Prokurori i Kreteig do të mbajë nesër në mesditë një konferencë për shtyp për rastin. Autoritetet policore regjistruan në vitin 2021 të paktën 64.300 viktima (një rritje 16% krahasuar me 2020) të dhunës në familje.

Në 80% të rasteve viktimat ishin të mitur dhe më shumë se gjysma (59%) ishin gra. Rreth një muaj më parë, më 29 tetor, një xhandar vrau tre vajzat e tij brenda shtëpisë së tyre në Vemar, afër Parisit dhe më pas vrau veten./albeu.com


Shtuar 26.11.2023 22:23