Kreu manovra të rrezikshme me “Ford-in” e vjedhur, arrestohet 37-vjeçari në Shkodër

Policia ka arrestuar një 37 vjeçar i cili ka kryer manovra të rrezikshme, me automjetin që sapo kishte vjedhur.

Nga verifikimet rezultoi se ai ishte në kërkim nga Policia e Durrësit, gjithashtu për vjedhje.

Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Shkodër, sapo është njoftuar se shtetasit I. D., 70 vjeç, i kishin vjedhur automjetin tip “Ford”, në lagjen “10 Korriku”, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Si rezultat, u vu në pranga shtetasi R. Sh., 37 vjeç. Ai u kap në flagrancë teksa kryente manovra të rrezikshme, me automjetin e vjedhur. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.


Shtuar 25.04.2024 16:38