Kreu SPAK, Altin Dumani, po raporton sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend për punën e bërë nga institucioni që ai drejti në vitin e kaluar.
Dumani ka dhënë shifra për punën e deritanishme ndërkohë që ka thënë se hetime dhe vendime të rëndësishme janë marrë për dënimin e zyrtarëve të lartë apo edhe luftën kundër korrupsionit.
https://www.facebook.com/kuvendishqiperise/videos/266382519293231
“Janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim, me një rritje nga viti i kaluar, ku janë regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim. Në lidhje me përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit, përveç përgjimeve telefonike, po aplikohen në masë të konsiderueshme, të gjitha mjetet për një çështje apo çështje të ndryshme, si vëzhgime, simulime, dorëzim i kontrolluar, letërporosi, si edhe për herë të parë, agjentë të infiltruar. Në vitin 2022, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale, ku janë interceptuar 1023 pajisje fundore.
Një e dhënë e rëndësishme, është rritur gama e databazave shtetërore ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë. Në lidhje me rekomandimin mbi fokusimin në hetime më shumë në çështjet e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve të lartë, nënvizojmë se me kërkesë të SPAK nga Gjykata e Posaçme gjatë vitit 2022, janë dhënë 4 vendimi dënimi, me 4 persona të dënuar, për ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Ndërkohë, në periudhën 2022-2022, rezulton se në total, në SPAK janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ndaj ish-zyrtarëve të lartë”, tha ai.
Në raportin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhet se gjatë vitit 2022 janë shpallur në kërkim ndërkombëtar 42 persona. Ajo që vihet re është ngritja e grupeve të përbashkëta hetimore me vendet partnere. Në listë rezultojnë 11 grupe pune të reja me vendet si Italia, Gjermania, Britania e Madhe dhe disa shtete të tjera, ku në fokus është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dumani në raportim tha se gjatë vitit 2022 janë nisur 107 procedime penale me 40 persona nën akuzë. Ai nuk la pa përmendur edhe rritjen e pasurive të konfiskuara.