Kreu i PD e mohoi publikisht, zbulohen dy letrat e kompanisë lobuese për Rubion: Jepini vizë Berishës për në SHBA

Kryedemokrati Sali Berisha, i shpallur “non-grata” nga administrata Biden në maj të vitit 2021, ka kërkuar dy herë vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Kërkesat e tij janë injoruar nga Departamenti i Shtetit të SHBA (DASH), sipas dokumenteve zyrtare të depozituara në departamentin FARA.

Bazuar në dokumentet e publikuara, kompania lobuese “Continental Strategy”, kontrata prej 6 milionë dollarësh me Partinë Demokratike, ka dërguar dy kërkesa, nga të cilat asnjëra prej tyre nuk është marrë parasysh.

Kërkesa e parë u dërgua më 28 Mars 2021, tre ditë përpara nisjes së fushatës zgjedhore. Kjo kërkesë ishte firmosur nga shoqata shqiptaro-amerikane dhe kërkonte një vizë njëkalimshme për Berishën për të vizituar diasporën shqiptare në SHBA.

Pas më shumë se një muaji pa përgjigje, një kërkesë tjetër u dërgua më 1 maj 2021, duke kërkuar një rishikim të mundësisë për të hequr sanksionet ndaj Berishës dhe për t’i mundësuar atij udhëtimin në SHBA.

Në përfundim, letra mbyllet me lutjen e kompanisë lobuese ku theksojnë se shpresa e vetme për klientin mbetet vendimi i sekretarit Marco Rubio.

Non Grata për Sali Berishën vazhdon të jetë e publikuar në faqen zyrtare të DASH dhe nuk ka ende një komunikim zyrtar nga institucionet amerikane.

I pyetur më herët për këtë çështje, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar të ketë kërkuar vizë për të udhëtuar drejt SHBA.

Berisha: Unë të kërkoj vizë? Jo, nuk kam kërkuar vizë që kur kam lënë detyrën e Kryeministrit, asnjëherë.


Shtuar 10.05.2025 17:10

Tags: ,