Kreu i KQZ: Publikimi i fletës së votimit përbën vepër penale

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se publikimi i fletës së votimit përbën vepër penale.

Gjatë një vizite në mjediset e Qendrës së Votimit nga Jashtë pranë Parkut Olimpik në Tiranë së bashku me kreun e misionit të OSBE/ODHIR, Lamberto Zannier, Celibashi iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me publikimin e fletës së votimit në rrjetet sociale nga shqiptarët në diasporë.

“Ata janë duke kryer një vepër penale në gjykimin tim, por është atribut i institucioneve të tjera për ta vlerësuar nëse veprimet e tyre përbëjnë apo jo vetëm penale. Në gjykimin dhe vlerësimin tim ato janë duke kryer një vepër penale. Tej interesit të partive politike, entuziazmit që kanë për të treguar se për kë votojnë është e dënueshme nga Kodi Penal deklarimi i votës. Në mënyrë kategorike nuk duhet të publikojnë në rrjetet sociale përmbajtjet e fletëve të votimit sepse janë duke kryer një vepër penale”, deklaroi kreu i KQZ-së.

Gjithashtu, Celibashi u bëri thirrje partive politike për vetëpërmbajtje sa i përket rezultatit të votimit.

“Ka zero shans, përfshirë edhe KQZ të ketë dijeni për përmbajtjen e fletës së votimit në dokumentacionin zgjedhor që vjen. Do ishte mire që politikanët të evitonin deklarata që lidhen me rezultatin e votimit, janë komplet pa sens. Përkundrazi mund të kontribuojnë negativisht në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”.


Shtuar 18.04.2025 21:24

Tags: ,