Kremlini përsëriti sot qëndrimin e tij për marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, duke thënë se Moska është e gatshme t’i kthehet marrëveshjes që lejon eksportimin e grurit ukrainas nga deti vetëm nëse plotësohen kushtet në interes të saj.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gjithashtu gazetarëve se Presidenti Vladimir Putin zhvilloi një telefonatë me Presidentin turk Tajip Erdogan këtë mëngjes.
Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat më 17 korrik.
Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja ka pamundësuar që Ukraina – një prodhuese globale e drithërave – të eksportojë në mënyrë të sigurt prodhimet bujqësore nga portet në Detin e Zi teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.
Vitin e kaluar, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen për eksportin e drithërave.
Që nga tërheqja e Rusisë nga marrëveshja, Ukraina po eksporton produktet e saj përmes rrugëve tokësore për në Bashkimin Evropian, por edhe përmes rrugëve alternative përmes lumit Danub.