Kremlini paralajmëroi Perëndimin se ka hartuar një listë të aseteve amerikane, evropiane dhe të tjera që do të sekuestrohen nëse liderët e vendeve të mëdha të industrializuara të Grupit të Shtatë (G7) vendosin të sekuestrojnë asetet e “ngrira” ruse.
Ky paralajmërim vjen pas diskutimeve dhe sugjerimeve që vendet e G7 të hartojnë version të ri ligjor për të lejuar sekuestrimin e aseteve të ngrira ruse në takimin e tyre në shkurt.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se çdo lëvizje e tillë nga Perëndimi do të përbënte “vjedhje”, shkel ligjin ndërkombëtar dhe minon monedhat rezervë, sistemin financiar global dhe ekonominë globale.
“Do të jetë një goditje e madhe për parametrat kryesorë të ekonomisë ndërkombëtare, do të dëmtojë ekonominë ndërkombëtare”, u tha Peskov gazetarëve. “Do të dëmtojë besimin e vendeve të tjera në Shtetet e Bashkuara, si dhe BE-në si garantues ekonomikë. Prandaj, veprime të tilla kanë pasoja shumë, shumë të rënda.
I pyetur nëse ekzistonte një listë specifike e aseteve perëndimore që Rusia mund të merrte si hakmarrje, Peskov tha: “Po. ekziston”.
Ai nuk pranoi të thoshte konkretisht se cilat asete janë në listë.
Rreth 300 miliardë dollarë asete të bankës qendrore ruse janë aktualisht të ngrira në Perëndim. Edhe pse banka qendrore nuk ka thënë në detaje se cilat asete janë ngrirë, shumica e obligacioneve dhe depozitave janë në euro, si dhe disa në dollarë amerikanë dhe paund britanik.