Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (MAPL), Elbert Krasniqi, tha më 13 shtator se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbë në veri të Kosovës është kërkesë vetëm e Beogradit. Ai i bëri këto komente pas deklaratës së emisarit amerikan Gabriel Escobarit se dorëheqja e tyre është rruga më e mirë për zgjedhjet e parakohshme në veri.
Krasniqi theksoi në një konferencë për media në Prishtinë se “ne nuk jemi këtu për t’u përkujdesur për kërkesat e Beogradit”, duke këmbëngulur se kryetarët mund të largohet nga zyrat vetëm përmes një udhëzimi të ri administrativ.
“Në të kaluarën kryetarët në veriun e vendit kanë qenë në dispozicion të Listës Serbe dhe grupeve kriminale dhe asnjëherë në dispozicion të qytetarëve, udhëzimi administrativ është proces demokratik…dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje as kryetarëve të komunave, janë kërkesa të Beogradit”, tha Krasniqi.
Escobari tha në intervistën për Zërin e Amerikës, e publikuar më 13 shtator, se rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës do të ishte nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje.
Kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.
Si pasojë, BE-ja më pas vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, ndërkaq SHBA-ja njoftoi se Prishtina nuk do të merrte pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23.
Kosova është zotuar për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë përmes një udhëzimi administrativ që u mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.
Krasniqi e përsëriti se “masat ndëshkuese janë të padrejta për Kosovën e kemi bërë të qartë disa herë, si Kosovë jemi të përshkuar për përmbushjen e obligimeve që i kemi, si dakordimet në Bratislavë jemi duke i përmbushur. Pothuajse janë të përmbushura të gjitha, si tërheqja e policisë dy herë nga 20 për qind dhe udhëzimi administrativ. Pjesa tjetër është pjesë e demokracisë dhe ia lamë në dorë qetarëve”.
Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për hapat që duhet të ndërmerren për shtenisionimin e situatës, përfshirë edhe reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kosova i ka tërhequr dy herë nga 25 për qind numrin e policëve në ndërtesat komunale në veri./rel