Kraja: Në prill 2022 plotësohet struktura e Byrosë Kombëtare të Hetimit

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Arben Kraja ka deklaruar se në muajin prill struktura e Byrosë Komvëtare të Hetimit do të jetë e plotësuar.

Kraja gjithashtu tha se është ngritur në SPAK edhe qendra e përgjimeve dhe laboratori digjital.

“Para dy vitesh ishim vetëm 8 prokurorë, në janar bëhemi 17. Në muaj prill të vitit të ardhshëm presim të plotësohet struktura e BKH me 32 hetuesit e grupit të dytë. Kemi ngritur në SPAK qendrën e përgjimeve dhe laborator digjital”, u shpreh Kraja.

Ndërsa foli për bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe partnerët strategjikë, Kraja deklaroi se vendimmarrja e SPAk mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas.

“Kemi arritur të ngremë një laborator digjital ekspertimesh ndër më të mirët në rajon, duke përdorur konfiskimet nga të ardhurat nga trafiku i drogës. Kemi vendosur ura bashkëpunimi me policinë, strukturat e SHISH, drejtorinë e pastrimit të parave, KLSH, Prokurorinë e Përgjithshme e shumë aktorë të tjerë. Kemi arritur të kemi akses në bazën e të dhënave të shtetit shqiptar. Kemi vendosur ura bashkëpunimi të forta me homologët tanë, kemi firmosur marrëveshje bashkëpunimi në rajon e më gjerë, dhe me shtetet e BE, duke konsoliduar raportet e duke qenë të sigurt se vetëm me këtë bashkëpunim mund të luftojmë krimin. Në këto dy vite edhe kemi punuar. Kemi pasur 891 procedime penale, kemi dërguar 432 të pandehur për gjykim, ku për mbi 200 kemi marrë vendim. Kemi konfiskuar 62 pasuri me një vlerë mbi 75 milionë euro. Kemi 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, 85 prej të cilave janë ekzekutuar, si dhe 17 kërkesa për ekstradim. Më lejoni të them se vendimmarrja jonë mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas më”, u shpreh ai./albeu.com


Shtuar 20.12.2021 11:28