Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit dhe rinumërimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve.
“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Një ditë më herët, të martën, është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë komunat: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ky proces ka filluar një ditë më parë, dhe deri në orën 09:00 të së mërkurës janë rinumëruar 10 vendvotime.

KQZ njofton se rezultatet pas verifikimit publikohen në platformën zyrtare.
