KQZ nis përgatitjen e zgjedhjeve vendore, VOA: Vëzhguesit kanë sërish dyshime mbi vullnetin e partive politike

Afro 3 muaj para fushatës së zgjedhjeve vendore të 14 majit, në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtuar përgatitjet teknike të këtij procesi.

Zëdhënësja e Komisionit, Drilona Hoxhaj, deklaroi për Zërin e Amerikës se këtë vit “po digjitalizohet raportimi financiar i partive politike dhe do të bëhet maksimumi për të verifikuar pastërtinë e kandidatëve, sipas ligjit të dekriminalizimit”.

Por, vëzhgues të pavarur pohojnë se procesi zgjedhor nuk do të jetë i lehtë, dhe se mbarëvajtja e procesit përsëri do të vonohet dhe do të varet kryesisht nga vullneti politik i partive garuese.

Në KQZ janë shumëfishuar përgatitjet e zgjedhjeve vendore të 14 majit, teksa kanë mbetur afro 3 muaj nga nisja e fushatës zgjedhore.

Zëdhënësja e Komisionit Qendror, Drilona Hoxhaj, bëri të ditur për Zërin e Amerikës se “përgatitjet për infrastrukturën zgjedhore kanë nisur, po ashtu si edhe puna për sigurimin e materialeve zgjedhore, krahas me rekrutimin e punonjësve me kohë të pjesshme që do të angazhohen gjatë procesit zgjedhor”.

Ajo theksoi se këtë vit po digjitalizohet raportimi financiar i partive politike, si dhe procese të tjera të komunikimit dhe informacionit mbi zgjedhjet.

Burimet dhe sasitë e financimit të partive para zgjedhjeve janë një shqetësim i vazhdueshëm mbi jetën politike të vendit, bashkë me dyshimet se ato vijnë prej të ardhurave nga grupet kriminale, të cilat i pararendin kapjes së favoreve dhe klientelizimit të mëvonshëm.

Zëdhënësja Hoxha theksoi se këtë vit “KQZ do të bëjë maksimumin me verifikimin brenda afateve të qindra kandidaturave për pushtetin vendor, ndërsa ky proces verifikimi kryhet në bashkëpunim me policinë, gjendjen civile dhe drejtorinë e burgjeve”.

Por vëzhgues të pavarur shprehin shqetësimin se partitë politike përsëri kanë dhënë shenja të vonesave, zvarritjeve dhe një vullneti të pamjaftueshëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore.

Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë se Kuvendi ende ka në punë dy komisione; një për reformën zgjedhore dhe tjetrin për ndarjen administrative territorial, ndërsa partitë nuk po japin të dhëna mbi kandidatët dhe kriteret e përzgjedhjes së tyre.

“Ende nuk e kemi një dakordësi mes partive se çfarë do të prodhojë dhe cili do të jetë produkti final i kësaj reforme. A do të kemi një Kod Zgjedhor të pandryshuar për këto zgjedhje, apo do të kemi në minutat e fundit disa amendime, apo disa arnime, të cilat vullneti i partive politike do t’i shtyjë deri në ditën e votimit më 14 maj?”, thotë zonja Meta.

Edhe këtë vit identifikimi elektronik do të bëhet me programe biometrike të skanimit të gishtit të votuesit, ndërsa numërimi sërish do të bëhet me duar dhe me grupe numërimi.

Vora do të jetë përsëri e njëjta njësi ku do të eksperimentohet votimi dhe numërimi elektronik. Edhe këtë vit votimi dhe numërimi elektronik nuk do të shtrhet në bashkitë e mëdha, sepse Kuvendi e miratoi buxhetin pa faturën e KQZ-së për këtë proces.

Një seri aktesh nënligjore janë gati dhe KQZ ka nisur konsultimet me partit dhe shoqërinë civile, ndërsa po zgjidhen edhe monitoruesit e fushatës zgjedhore, pa përmëndur qindra vëzhgues të pavarur vendas dhe ndërkombëtarë, që pritet të vijnë.

“Një nga elementët, i cili nuk është respektuar asnjëherë në asnjë proces zgjedhor, është përgjegjësia që kanë partitë politike për të bërë transparence në lidhje me listat e kandidatëve, që ofrohen prej tyre, qoftë për kryetarë bashkie, apo për këshilltarë bashkiakë. Pak ose aspak dihen të dhëna për këta individë apo platformat e tyre qeverisëse, ambicjet dhe premtimet e tyre, por gjithçka identifikohet me partitë dhe futet prapa flamurit partiak, duke mos shfaqur karakterin apo kontributet personale të këtyre njerëzve”, thotë zonja Meta.

Forcat politike i kanë bërë të zakonshme kundërshtimin e rezultateve zgjedhore, zvarritjen e përgatitjeve dhe listat e kandidatëve deri ditën e fundit si dhe mbushjen e komisioneve zgjedhore me militant partiakë, të cilët vënë në dyshim gjithçka.

Po aq të zakonshme janë bërë edhe akuzat e ndërsjellta për korruptim të komisionerëve, blerje të votave, kërcënime dhe shantazhim të votuesve, si dhe shfrytëzimin e burimeve dhe mjeteve shtetërore për fushatë

Pastrimi i administratës zgjedhore nga përfaqësues të partive politike si dhe mospërdorimi i burimeve shtetërore për fushatë janë dy nga kërkesat kryesore, më të përsëritura dhe më të papërmbushura, nga vëzhguesit ndërkombëtarë./VOA


Shtuar 8.01.2023 07:27