KQZ kërkoi dokumente shtesë me firmën e Bashës për 48 orë, sot skadon afati, çfarë do të ndodhë me fatin e PD-së

Sot, 11 mars, skadon afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi që Partia Demokratike të plotësojë dokumentacionin në mënyrë që të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit.

PD me kryetar Alibeajn ka më pak se 24 orë afat sipas KQZ që të plotësojë dokumentat me firmën e saktë të Lulzim Bashës që të regjistrohet në zgjedhje.

Një nga skenarët e mundshëm të këtij ngërçi që vuri në dukje kreu i KQZ Ilirian Celibashi, përfitues është vetëm Berisha, kandidatët e të cilit, nuk do të rivalizohen nga kandidatet e PD zyrtare.

Sipas vendimit të KQZ, Lulzim Basha do të duhet të firmosë shkresa zyrtare, ndonëse është dorëhequr prej afro 1 viti, pasi në të kundërt rrezikon pjesëmarrjen në zgjedhje.

Kjo vendimmarrje e Celibashit nuk i ka pëlqyer përfaqësuesit ligjor të Lulzim Bashës, i cili paralajmëroi ankimim në KAS.

Duke pasur parasysh deklaratat e fundit të përfaqësuesve më të lartë të Partisë Demokratike si kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj apo Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi partia më e madhe opozitare në vend rrezikon seriozisht regjistrimin për 14 Majin, të paktën nga ana e Celibashit dhe çështja mund të përfundojë për t’u zgjidhur në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, nëse Komisioneri do t’i qëndrojë deklaratës së nuk e kalon pa plotësim dokumentesh.

Përfaqësuesit ligjor të Sali Berishës argumentojnë se Lulzim Basha jo vetëm që ka dhënë dorëheqjen në 21 Mars të vitit të kaluar, por ndaj tij ka një proces gjyqësor që vijon në Gjykatën e Tiranës me paditëse Edit Harxhin, e cila kërkon ç’regjistrimin e tij si kryetar.

Sipas Ledio Nurajt, vendimi i Apelit nuk zhbëri atë të Gjykatës së Tiranës në 25 Mars të 2022, që regjistroi Partinë Demokratike të drejtuar nga Berisha.

Ndërkaq Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve këtë të shtunë, pritet që në orën 11:00 të zhvillojë mbledhjen e radhës me këtë rend dite:

Çështje të mbartura

1. “Për shqyrtimin e kërkesës së partisë politike “Partia Bindja Demokratike”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

2. “Për shqyrtimin e kërkesës së partisë politike “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Çështje për shqyrtim rishtas

1. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Mat, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zj. Ana Gazmir Hysa”.

2. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Dibër, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë G 99, z. Klodian Kapllan Përshaku”.

3. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Kolonjë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Demokracia Sociale, z. Arjan Andon Çikopana”.

4. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Shkodër, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Social Demokrate të Shqipërisë, z. Durim Adem Bullakja”.

5. Vlerësim i raportimeve të veprimtarive me karakter publik të disa institucioneve, për periudhën 24 shkurt – 2 mars 2023.

6. Projektvendim “Për shqyrtimin e kërkesës së qendrës mediatike MCA – Press & Gir për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023”.

/Albeu.com/