KPA ka vendosur të hënën që të pezullojë nga detyra anëtarin Ardian Hajdari.
Ky fakt u bë i ditur të martën, në mbledhjen e gjyqtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në çeljen e seancës publike që ka të bëjë me ankimin e gjyqtares së ish-Gjykatës së Apelit Për Krime të Rënda, Dhurata Haveri, kundër vendimit të Komisionit për shkarkimin e saj.
Kryesuesi i trupës së Kolegjit Sokol Çomo sqaroi se seanca nuk mund të vijonte pasi mungonte gjyqtari Ardian Hajdari për shkak të pezullimit të tij nga detyra dhe u vendos shtyrja për më datë 18 shkurt, ora 09:30. Në seancë nuk e bë e ditur arsyeja e pezullimit të Hajdarit nga detyra. Gjyqtari Ardian Hajdari u shpreh për BIRN gjatë një komunikimi në aplikacionin ëhatsapp se nuk kishte komente për të përcjellë lidhur me vendimarrjen e Kolegjit për pezullimin e tij.
Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.
Më 24 qershor 2020, Daci dhe Hajdari u kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme, SPAK me pretendimin se kishin gënjyer në aplikimet e tyre për t’u zgjedhur anëtarë të KPA-së përmes “falsifikimit të dokumenteve”. Kallëzimi penal u krye nga tre magjistratë të shkarkuar gjatë vetingut; nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari dhe Elsion Sadiku si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla. Daci u akuzua se kishte fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 dhe se kishte deklaruar para komisionit Ad Hoc se ishte larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, ndërsa Hajdari për deklaratën se kishte një eksperiencë 17 vjeçare si avokat.
Po ashtu, kallëzuesit pretendonin se dy anëtarët e KPA kishin konsumuar edhe elementët e veprave penale “fshehje e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”./albeu.com/