Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen, gjatë vizitës së tij zyrtare në Greqi.
“Mbështetje e fortë nga Bashkimi Evropian për integrimi evropian të Maqedonisë së Veriut, mos të lëshohet kjo mundësi e vetme”, ishte mesazhi i takimit që u theksua nga Qeveria e RMV-së.
Ata po marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Athinë në kuadër të 20 vjetorit të “Deklaratës së Selanikut”.
“Mundësia për ardhmërinë evropiane, për tregun e hapur evropian, për fondet evropiane, për reformat thelbësore, tani është në duart e tona dhe këtë nuk duhet si shtet ta lëshojmë”, shkruan Kovaçevski.
Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e djeshme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.
Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare OBRM-PDUKM është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë./ina