Kovaçevski referendumin e vlerëson si kthim prapa, VMRO-DPMNE: Është akt demokratik, hap mbrapa vetëm për qeverinë

Pushteti dhe opozita vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme dhe të përplasen rreth propozimit të VMRO-DPMNE-së për organizimin e referendumit për propozimin francez. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për “Kanal 5” tha se me hapjen e negociatave, po hapet një faqe e re e zhvillimit të vendit, kurse referendumi do të ishte vetëm kthim prapa në procesin negociues me BE-në.

“Një referendum i tillë do të jetë vetëm kthim prapa, krijim i kostove dhe së treti konsideroj se ai referendum është vetëm për përdorim të brendshëm partiak të VMRO-DPMNE-së. Praktikisht, debati që po zhvillohet, për momentin ka vetëm dy parti politike që janë kundër anëtarësimit në BE, e ato janë: VMRO-DPMNE-ja e cila nuk dha mbështetje për përfundimet në Kuvend, por u larguan dhe E Majta”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se me qëndrimin e këtillë, Kovaçevski ka ofenduar popullin dhe se është kundër referendumit, pasi, siç thonë, e di se populli nuk do ta mbështesë kornizën negociuese që nënkupton bullgarizim dhe asimilim.

“Unë nuk e shoh se si mënyra më demokratike e shprehjes së vullnetit të qytetarëve – referendumi i drejtpërdrejtë, i cili është kulmi i demokracisë në vendet më të zhvilluara, mund të jetë hap mbrapa? Si është e mundur që deklarimi i çdo qytetari për një temë të rëndësishme, e kjo është një temë e rëndësishme, të jetë hap mbrapa? Është evidente se ai është hap mbrapa vetëm për Kovaçevskin i cili ka frikë nga vullneti i popullit dhe rezultati i referendumit.”- tha Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sa i takon referendumit, para disa ditësh në emisionin “Click 21”, gazetari Zoran Ivanov, tha se kjo iniciativë është e panevojshme dhe se ka shumë gjasa të dështojë.

“Referendumi nuk do të zgjidhë asgjë. Së pari nuk do të arrijë të mbledhë 900 mijë vota, njerëzit nuk do të dalin në masë të madhe në referendum, kjo është e para. Së dyti, është një iniciativë klasike partiake për ngritjen e rejtingut dhe mobilizimin për zgjedhje të mundshme të parakohshme. Sa i përket referendumit, as nuk ka nevojë, e as nuk do të ketë sukses, por hajde le të ngjallen pak emocione, sidomos te komuniteti etnik maqedonas.”- thotë Zoran Ivanov, gazetar.

Edhe pse paralajmëruan se së shpejti do të dalin me zgjidhje, opozitarja VMRO-DPMNE ende nuk ka qëndrim konkret për çka do të jetë referendumi dhe cila do të ishte pyetja. Thonë se vazhdojnë konsultimet me ekspertë për këto çështje./TV 21/