Kovaçevski: Opozita le t’i paraqesë të gjitha propozimet në komisionin për çështje kushtetuese

VMRO-DPMNE lirisht duhet t’i dorëzojë të gjitha propozimet e saj në komisionin për çështje kushtetuese që duhet të formohet në Ministrinë e Drejtësisë dhe aty do të mund të diskutohet, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes për propozimin e profesorit universitar të së drejtës kushtetuese Aleksandar Spasenovski për ndryshimin e stemës aktuale. Sipas Kovaçevskit, ndryshimet kushtetuese do të kenë legjitimitet edhe pa opozitën.

“Shohim që fillimisht ka një model kroat, tani mbrapa, kështu që atje qëndrimet ndryshojnë përditë, do të shohim si do të jetë deri në fund. Opozita nuk e mbështeti anëtarësimin tonë në NATO, kështu që ne do të bëhemi anëtare të BE-së dhe shpresoj që opozita edhe një herë të mbështesë diçka”.

Ndërkоhë, emrat e ekspertëve që do të jenë pjesë e grupit të punës pritet të publikohen gjatë këtyre ditëve. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht për vazhdimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Në Grupin e Punës tashmë janë propozuar zyrtarisht 13 anëtarë, të cilëve duhet t’i bashkohen edhe ekspertët. Nga partitë janë propozuar: Cvetanka Ivanova-LSDM , Arbër Ademi-BDI, Remzi Mehmedi-Aleanca për Shqiptarët , Sonja Mirakovska-PRSD, Nano Ruzhin-PLD, Hrista Najdanov-RDM, Temellko Risteski-Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi-PDSH, Eran Kurtish-Partia për Lëvizjen e Turqve, Bejxhan Iljas-Partia Demokratike e Turqve. Ndërkaq, nga institucionet janë propozuar: Alleksandar Spasov-Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tillev-Sekretariati për Çështje Evropiane, Shpend Sadiki-Ministria e Punëve të Jashtme./shenja


Shtuar 19.04.2023 17:09