Kovaçevski: Jo vetëm Merko, por edhe të gjithë këshilltarët që i kanë përkrahur vendimet e tij të japin dorëheqje

Institucionet të kontrollojnë gjetjet për të gjitha bazat, pse Ramiz Merko u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e pakuptueshme se si hetuesit nga SHBA kanë pasur informacione për diçka që ka ndodhur këtu, ndërsa institucionet përgjegjëse në vendin tonë jo, tha kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski në seancën për pyetje të deputetëve, duke iu përgjigjur deputetit Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, i cili pyeti nëse kryeministri do të kërkonte dorëheqjen e kryetarit të Strugës.

Kovaçevski tha se çdo zyrtar i zgjedhur duhet të punojë sipas ligjeve dhe në interes të qytetarëve dhe përsëriti se po të ishte në listën e zezë të SHBA-së, jo vetëm që do të jepte dorëheqjen, por do të ishte dështimi më i madh i tij në karrierën personale dhe profesionale. Ai konsideron se edhe këshilltarët në Komunë duhet të japin dorëheqje nëse nuk kanë punuar në interes të qytetarëve dhe kanë përkrahur vendimet e tij dhe se periudha më e gjatë në detyrë e Merkos ka qenë në koalicionin e BDI-së me VMRO-DPMNE-në.

“Nëse shikoni arsyet mbi të cilat është marrë vendimi nga Departamenti i Shtetit për ta vendosur atë në listën e zezë, gjatë qëndrimit të tij në detyrë ai ka qenë në koalicion me të gjitha partitë politike, përfshirë edhe tuajën për periudhën më të gjatë të karrierës së tij, atëherë mesazhi im do të ishte –  nëse nuk kanë punuar në interes të qytetarëve, gjë që duhet ta konfirmojnë institucionet, jo vetëm kryetari i Komunës së Strugës, por edhe të gjithë këshilltarët nga të gjitha grupet e këshilltarëve që kanë përkrahur vendimet gjatë periudhës së kaluar duhet të japin dorëheqje së bashku”, tha kryeministri.

 


Shtuar 1.07.2023 08:49