“Me marrjen e njoftimit për arritjen e 75% të tavanit buxhetor mujor, spitali merr masat për mirëmenaxhimin e përcaktuar në kontratën koncesionare” .
Kjo është një nga pikat e kontratës ndërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm (FSDKSH) dhe Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” e vlefshme për këtë vit (shiko në fund pjesë nga kontrata FSDKSH -QSUT për 2023).
Ky kufizim është bërë shkak që shpesh në pavionet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” të mos ofrohen analiza laboratorike në ditët e fundit të muajit pasi ezaurohet plani mujor i ekzaminimeve, i cili është detajuar në bazë të fondeve të vëna në dispozicion.
Fillimisht ndërpriten analizat rutine, por ka plot raste që në ditët e fundit të muajit nuk janë ofruar as analiza të urgjencës pohuan burimet të sigurta të verifikuara pranë QSUT-së.
Për shkak se mbajnë përgjegjësi deri penale stafet mjekësore në QSUT nuk mund të autorizojnë analiza laboratorike kur përmbushet plani mujor para përfundimit të muajit, duke lënë kështu pacientet pa një nga shërbimet themelore.
Pavarësisht se qeveria rriti me 23 për qind financimin e koncensionarit vitin e kaluar duke e çuar 1,6 miliardë lekë nga 1,3 miliardë lekë në kontratën fillestare, sërish QSUT vijon të ketë mangësi në këtë lloj shërbimi.
Sipas kontratës ndërmjet FDSKSH dhe QSUT, përcaktohet se “spitali dhe personeli shëndetësor (mjekët referues) është përgjegjës për realizimin e kontratës Koncensionare të laboratorëve të nënshkruar ndërmjet Autoritetit (MSHMS) dhe Koncensionarit.
Mjeku specialist referues është përgjegjës për referimin e ekzaminimeve për Koncensionarin e laboratorëve duke plotësuar formularin e referimit bazuar në Protokollet të Praktikës Klinike të miratuara nga MSHMS dhe në zbatim të sistemit të referimit. Formularët e Referimit të Analizave Laboratorike të plotësohen dhe nënshkruhen nga mjeku referues, sipas të gjitha rubrikave që përcakton Kontrata Koncesionare e Laboratorëve dhe aktet ligjore në fuqi”.
Më tej kontrata përcakton se “Spitali ka detyrimin të zbatojë tavanet buxhetore dhe pagesat sipas përcaktimeve në kontratën koncesionare”. Këto detyrimet po çojnë në mungesë shërbimi laboratorik edhe në disa raste ku rrezikohet seriozisht ecuria shëndetësore e pacientëve.
Kontratat koncensionare në sektorin e shëndetësisë po rezultojnë problematike, pasi dhënia e tyre u bë në mungesë studimesh dhe projeksionesh të sakta duke i bërë ato problematike në aspektin e parashikueshmërisë financiare.
Kontratat tashmë janë duke në proces hetimi nga SPAK dhe për një seri zyrtarësh që patën rol në kontratën e sterilizimit janë lëshuar urdhra ndalimi. Pjesa e sterilizimit tejkaloi kostot e burimeve njerëzore dhe anestezisë që zakonisht zënë pjesën më të madhe te shpenzimeve në kostot operatorë kudo në botë.
Koncensioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.
Për periudhën 2020-2022 kompania ka marrë gjithsej pagesa nga buxheti i shtetit prej 2.74 miliardë lekë, nga të cilat 1.1 miliardë lekë në 2021 dhe 1.6 miliardë lekë në 2022./monitor