Kosovë/ PDK prezanton listën zyrtare prej 110 kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka finalizuar listën e saj prej 110 kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme më 28 dhjetor.

PDK do të paraqitet me numrin 130 në fletëvotim, që sipas partisë simbolizon fitore dhe zhvillim.

“130 është numri i bashkimit për Kosovën. Është numri i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik. Është numri i drejtimit të sigurt dhe rrugës evropiane për vendin tonë. 130 është numri i fitores!”, shkruhet në postimin e partisë.

Lista përfaqëson një kombinim të energjisë së re dhe përvojës, me mbi 50 kandidatë që garojnë për herë të parë.

PDK thekson se “kjo listë sjell profesionalizëm dhe qasje moderne në politikë, duke përfaqësuar të gjitha komunat dhe komunitetet e Kosovës.”

Sipas tyre, përfaqësimi gjinor është një tjetër pikë kyçe e listës, me 37 gra që tejkalojnë kuotën gjinore, duke dëshmuar angazhimin për një përfaqësim gjithëpërfshirës.
“Kandidatët vijnë nga profesione të ndryshme, duke përfshirë profesorë, doktorë, ekonomistë, gazetarë, diplomatë, juristë, inxhinierë, ekspertë të sigurisë dhe sipërmarrës”.

“Me këtë listë të balancuar dhe të fuqishme, PDK hyn në garë me bindjen se Kosova meriton qeverisje të përgjegjshme, të aftë dhe të orientuar drejt rezultateve,” thuhet më tej në komunikatën e partisë.

PDK fton qytetarët që më 28 dhjetor ta japin besimin e tyre për numrin 130, duke mbështetur vizionin për një Kosovë më të zhvilluar dhe të bashkuar.


Shtuar 7.12.2025 20:18