Për herë të 52-të me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej, duke shtyrë edhe më tej ngërçin institucional në vend. Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të shtunën, më 26 korrik, në orën 14:00.
“Dje jeni njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme e cila hyn në fuqi të dielën. Duke pasur parasysh që nesër përfundon afati kushtetues prej 30 ditësh dhe të dielën hyn në fuqi masa e përkohshme, seancën e radhës e mbajmë nesër në orën 14:00
Megjithatë, seancat e Kuvendit tashmë janë kthyer në formalitete që mbahen çdo 48 orë, pa pasur përpjekje të dukshme për zhbllokim të situatës dhe për konstituimin real të institucioneve.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe ambasadorë të vendeve partnere të Kosovës, të cilët ndjekin nga afër zhvillimet.