Sot në ora 11:00 do të mblidhen sërish deputetët e Kuvendit të Kosovës, në tentativën e 58-të për konstituim të legjislativit.
Në tentativën e fundit për konstituim të Kuvendit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit ishin Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha.
Asnjëri nga ta nuk mori votat e nevojshme për kryetar të Kuvendit.
Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku përcaktohet që legjislativi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat ky që përfundon më 18 shtator.
Gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare vendi është pa institucione të reja, të dala nga zgjedhjet e 8 shkurtit.
Procesi i konstitutimit të Kuvendit të Kosovës ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
E lidhur me ngërçin politik që po zgjat tash e disa muaj ka shkruar Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.
Ditë më parë, Krasniqi në një postim në Facebook shkruante se pasi askush nuk ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve, mandatet duhet t’i kthehen popullit.
Por, sipas tij, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, partitë politike duhet të bien dakord mbi disa çështje themelore që do të shmangin bllokadat e së ardhmes dhe do të garantojnë funksionalitetin institucional. /Telegrafi/