Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se Kosova është duke u përgatitur padinë kundër Serbisë për gjenocid, megjithatë ka theksuar se puna që po bëhet për një gjë të tillë është konfidenciale, meqë çështja është shumë serioze dhe është rast ku nuk ka vend për dështim.
Kështu ka thënë shefja e shtetit në një intervistë për Kallxo.com, duke mos dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodh padia.
“Puna për padinë për gjenocid është konfidenciale dhe është punë që do të vazhdojë edhe për një kohë, kur kryhet do të ju njoftojmë, sepse nuk është lojë kjo punë, nuk është rast që guxon të dështojë”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka thënë se për një çështje të tillë është duke punuar një grup profesionistësh.
“Është duke u punuar intensivisht nga një ekip profesionistësh të cilët po i përgatisin materialet që duhet t’i kemi sa i përket padisë për gjenocid. Çështja e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë kurrë nuk ka qenë më publike në arenën ndërkombëtare sesa tani”, kishte deklaruar presidentja në një intervistë më 19 prill 2022.
Në Kosovë ka vite që përmendet ushtrimi i padisë kundër Serbisë për gjenocid. E kishte përmendur si iniciativë edhe Hashim Thaçi sa kishte qenë president. Derisa qeveria aktuale në krye me kryeministrin Kurti e ka edhe në program qeverisës ushtrimin e padisë kundër Serbisë. Derisa ekspertë të fushës kishin deklaruar se puna për padinë duhet koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në./Express/