Kosova drejt kolapsit politik! Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, seanca e radhës pas 48 orës

Ka dështuar edhe sot përpjekja tjetër për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në seancë të pranishëm ishin 113 deputetë, teksa kryesuesi Avni Dehari vendosi sërish në votim formimin e Komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

56 deputetë votuan për, 1 kundër, derisa s’pati abstenim. Deputetët e partive tjera nuk morën pjesë fare në votim.

Seanca e sotme

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë.

Ndryshe të hënën duke proceduar me rendin e ditës, kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Nga subjektet e lartpërmendura nuk u deklarua askush.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

“56 deputetë kanë dhënë votën për, një kundër, abstenim nuk ka. Nuk kemi pasur kuorum serish. Shihemi më 7 maj, në orën 10:00”, tha kryesuesi Dehari.


Shtuar 7.05.2025 13:20