“Korrupsioni do shpallet vepër penale e rëndë”, Berisha: Bajrat, Çelët dhe raca e kriminelëve do vendosen para ligjit bashkë me ministrat e tyre

Në një fjalë të fortë të mbajtur gjatë prezantimit të programit elektoral të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka premtuar një zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe një luftë të ashpër kundër krimit dhe keqpërdorimeve të pushtetit.

Berisha ka theksuar se korrupsioni është përgjegjës për varfërinë e qytetarëve dhe luksin e qeveritarëve, duke theksuar se ky fenomen ka çuar në një situatë dramatike, ku fëmijët shqiptarë janë detyruar të braktisin vendin për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë. Sipas tij, korrupsioni ka pasur pasoja shkatërruese për Shqipërinë, duke thelluar ndarjen mes elitës qeveritare dhe popullit të thjeshtë.

“Shqipëria madhështore ka nevojë për të pastruar shtëpinë e saj,” tha Berisha. “Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë dhe ata që janë të përfshirë në të, duke përfshirë ministra dhe kriminelë, do të përgjigjen para ligjit.”

 

Kryetari i PD-së ka theksuar se një qeveri e ardhshme e Partisë Demokratike do të sigurojë që politika të ndahet përfundimisht nga krimi dhe abuzimet, dhe se askush nuk do të ketë mundësinë të kërcënojë qytetarët për votën e tyre. Berisha ka premtuar një të ardhme ku korrupsioni do të ndalohet, dhe Shqipëria do të ecë përpara me një politikë të pastruar dhe të drejtë.

“Bajrat, Çelët dhe raca e kriminelëve me ministra të tyre nuk do të kenë vend më në këtë vend. Ata do të përballen me ligjin,” ka deklaruar Berisha, duke nënvizuar angazhimin për një shoqëri më të drejtë dhe paqësore.


Shtuar 12.04.2025 19:52