Korrupsion, mashtrime dhe falsifikime parash, 9 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 9 shtetas për vepra të ndryshme penale duke filluar nga “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Vjedhja”, “Mashtrimi”, “Falsifikimi i monedhave”, etj.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Korrupsionit bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasin në kërkim Gentian Elezi, 32 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, e ka dënuar 1 vit e 5 ditë burg, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ndalimin e shtetasve:

– Xh. S., 39 vjeç, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i monedhave”, pasi me anë të mashtrimit, ka këmbyer disa kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, në një pikë këmbimi valutor;

– E. A., 20 vjeç, pasi me anë të mashtrimit, i ka marrë shuma të konsiderueshme parash shtetases M. S., 42 vjeçe.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ndalimin e shtetasit G. S., 36 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, pasi së bashku me një shtetas tjetër, ka vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake në banesën e shtetasit E. G. Punohet për kapjen e bashkëpunëtorit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. K., 33 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, për veprën penale “Mashtrimi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. B., 53 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj kushërirës së tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Sh. Ll., 20 vjeçe dhe G. Ç., 53 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse, pa leje drejtimi;

– O. S., 39 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur.

—-

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan penalisht shtetasit Sh. Z., 31 vjeç dhe E. S., 22 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, pasi në telefonat e tyre përkatës, shërbimet e Policisë kanë gjetur programe që përdoren për vendosjen e lotarive sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasin N. K., 38 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grusht shtetasin  S. I., 61 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 4.02.2022 11:29