Korriku nën “pushtimin” e flakëve, sa llogaritet dëmi i shkaktuar nga zjarret në Shqipëri

Vendi ynë është përfshirë nga zjarret prej më shumë se një muaj, ndërsa dy ditët e fundit shumë vatra janë shuajtur dhe situata është vendosur nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes shpesh ka bërë bilancin sa sipërfaqe janë shkrumbuar nga zjarret si dhe forcat e zjarrfikësve të cilët punojnë në terren.

Deri tani mësohet se zjarret kanë djegur rreth 26 mijë hektarë me pyje dhe shkurre. Kjo është ndër sipërfaqet më të madha të djegur në dekadën e fundit.

Në krahasim me vitin 2023, zjarret e rënë këtë vit, pjesa më e madhe e të cilëvë në pjesën e dytë të muajit korrik, kanë djegur një sipërfaqe 5 herë më të madhe.

Duke llogaritur shpenzimet për ripyllëzimin, kostot për rigjenerimin e tokës dhe humbjet nga djegia e lëndëve drusore, dëmi ekonomik nga zjarret e këtij viti përllogaritet në mbi 160 milionë euro.

Vlerësimi për kostot bëhet nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, i cili ka gjurmuar deri më tani 58 vatra të cilat janë përhapur në pyje e kullota.

Reshjet e ditëve të fundit i kanë shuar pothuajse të gjitha vatrat, por nuk përjashtohet mundësia që edhe muaji gusht të krijojë situata të ngjashme.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Vlora, Shkodra, Dibra, Bulqiza, Librazhdi dhe Korça janë zonat më ritmin më të lartë të shpyllëzimit, kryesisht si pasojë e zjarreve.


Shtuar 30.07.2025 18:22