Korea e Veriut paralajmëron sulm bërthamor nëse provokohet me armë bërthamore

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un tha se Pheniani nuk do të hezitojë të ndërmarrë një sulm bërthamor nëse një armik e provokon atë me armë bërthamore, njoftoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve.

Udhëheqësi koreanoverior i bëri komentet gjatë një takimi me ushtarët që shërbejnë nën ombrellën ushtarake të divizionit të raketave lidhur me stërvitjen e fundit ushtarake dhe provën me një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), tha agjencia e lajmeve KCNA.

“Ai tha se aktiviteti ushtarak i kohëve të fundit ishte një shpjegim i qartë i mënyrës së kundërsulmit edhe përparimeve të strategjisë dhe doktrinës bërthamore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë për të mos hezituar me një sulm bërthamor kur armiku e provokon atë me armë bërthamore”, tha agjencia e lajmeve KCNA.

Koreja e Veriut tha të martën se kishte testuar raketën e saj balistike ndërkontinentale më të fundit për të vlerësuar gatishmërinë luftarake të forcës së saj bërthamore kundër armiqësive amerikane në rritje. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë dënuar provën e fundit të Koresë së Veriut me raketë balistike.

Udhëheqësi koreanoverior tha se prova e së hënës demonstroi aftësitë e larta të ushtrisë dhe të sulmit të shpejtë, ndërsa bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve për të forcuar edhe më tej efikasitetin e saj luftarak, raportoi KCNA.

Në një deklaratë të veçantë, motra e udhëheqësit koreanoverior, Kim Yo Jong e dënoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mbajtjen e një takimi lidhur me provat e Phenianit, duke thënë se vendi i saj ushtroi të drejtën e provave për vetëmbrojtje.

“Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet t’i mbajnë përgjegjëse Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për veprimet dhe aktet e papërgjegjshme të cilat kanë përkeqësuar tensionin në gadishullin Korean përmes provokimeve të ndryshme ushtarake gjatë gjithë vitit”, tha ajo.


Shtuar 21.12.2023 21:25