Koordinimi Kosovë-BE për Ligjin për të Huajt, reagon Rama: Brukseli të heqë masat ndëshkuese duke çuar para anëtarësimin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për të lëshuar leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, si dhe për njohjen e kartave të identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.

Në një reagim në X, Rama përshëndeti koordinimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke theksuar se shpërbërja e strukturave paralele është një proces i vështirë dhe kërkon vendime të guximshme.

Ai shtoi se BE-ja duhet ta shoqërojë këtë hap duke hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe duke e çuar përpara aplikimin e saj për anëtarësim.

“Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi, por një fitore strategjike për vetë Evropën”, theksoi Rama.

Ndërkohë, sipas njoftimit të autoriteteve në Kosovë, zbatimi i plotë i ligjit për të huajt dhe për automjetet pritet të nisë më 15 mars.

Reagimi i Ramës:

Ne mirëpresim koordinimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Ligjin për të Huajt. Shpërbërja e strukturave paralele është punë e vështirë. BE-ja duhet ta përputhë këtë guxim duke hequr masat ndëshkuese dhe duke e çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi. Është vetë një fitore strategjike për Evropën.


Shtuar 14.03.2026 18:32